Moti i keq: Lumi Vjosa dhe Seman dalin nga shtrati, situatë kritike dhe në qarqet e tjera
Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje, dëmtime argjinaturash dhe probleme të shumta në qarkullim, ndërsa disa lumenj kanë dalë nga shtrati duke rrezikuar zonat e banuara dhe tokat bujqësore.
Situata më kritike në Tales të Lezhës
Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit në lagunë ka dëmtuar argjinaturën, duke lejuar depërtimin e ujit drejt zonave të banuara. Gjatë natës mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar për forcimin e argjinaturës, ndërsa zona e Bregut të Matës rrezikon përmbytje për shkak të mungesës së aksesit rrugor. Në Mylte, Tresh dhe Spiten janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore.
Shembje në Mirditë dhe rrezik bllokimi të qarkullimit
Aksi Rrëshen–Bukmir ka pësuar shembje në disa pika, duke rrezikuar qarkullimin e dhjetëra automjeteve dhe banorëve të zonës. Kryebashkiaku Albert Melyshi dhe prefekti Taulant Malshi theksuan se segmenti ka probleme të përsëritura që janë rënduar nga reshjet e dendura.
Vjosa del nga shtrati në Vlorë
Në qarkun e Vlorës, lumi Vjosa ka arritur kuotën maksimale dhe ka dalë nga shtrati pranë Urës së Mifolit, duke rrezikuar tokat bujqësore në zonat përreth. Autoritetet janë në gatishmëri për shkak të prurjeve të larta që vijnë nga Përmeti dhe Memaliaj.
Përmbytje nga Semani në Lushnjë dhe Fier
Në Fier, rritja e nivelit të Semanit ka shkaktuar dalje nga shtrati në Ngurrëz të Vogël dhe Imshtë, duke përmbytur rreth 180 hektarë tokë brenda argjinaturës. Shtabi i emergjencave dhe Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit kanë evakuuar paraprakisht disa stane me bagëti. Sipas inxhinierit Ferdinand Dervishi, niveli i ujit pritet të rritet deri në mesditë e më pas të bjerë gradualisht.
Përmbytje në Berat dhe Dimal
Në qarkun e Beratit janë raportuar 8 banesa të përmbytura në Moravë, Dimal dhe Çiflik, si dhe rreth 13 hektarë tokë bujqësore të vërshuar nga dalja e lumit në Arrës dhe Çiflik.
Probleme të shumta në qarkun e Korçës dhe Bulqizës
Në Bulqizë, terminali i autobusëve ndodhet prej ditësh nën ujë për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Në Korçë, prezenca e ujit është regjistruar në oborret e tre banesave në Çiflig, ndërsa në Vinçan dhe Qenckë janë pastruar inertet e rrëshqitura në rrugë. Në aksin e vjetër Korçë–Ersekë vijojnë punimet për pastrimin e dherave. Probleme raportohen edhe me furnizimin me energji në zonat Protopapë, Peshtan, Mazrekë dhe Pulahë, ku rreth 208 abonentë janë pa energji.
Lumi Shkumbin rrezikon daljen jashtë argjinaturës
Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati brenda argjinaturës për shkak të prurjeve të shtuara, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se, sipas parashikimeve, pritet të dalë edhe jashtë saj, duke rrezikuar tokat bujqësore në zonën e Çermë Shkumbinit. Situata po monitorohet nga institucionet përgjegjëse për të parandaluar përmbytjet dhe për të mbrojtur banorët dhe sipërfaqet bujqësore.